Hykolli: Së shpejti do të merret vendimi për pagën minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se paga minimale në Kosovë do të rritet në 264 euro, duke e vlerësuar si rritje të kënaqshme.

Lidhur me këtë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, tha se është Këshilli Ekonomiko Social ai që rekomandon se sa duhet të jetë paga minimale, ndërsa në fund miratohet nga qeveria.

Në një intervistë për RTK-në, Hykolli tha se së shpejti do të mbahet mbledhja e ardhshme e këtij këshilli ku do të merret vendimi për pagën minimale.

“Këshilli Ekonomiko Social përbëhet nga tre partnerë; Qeveria e Kosovës, punëdhënësit dhe punëmarrësit, pra paga minimale del nga këshilli tre palësh, ne kemi pasur diskutime të cilat kanë dalë dy propozime të cilat nuk kanë marrë votat e Këshillit. Por, së shpejti do të mbahet mbledhja e radhës e KES, dhe do të merret vendimi”, tha ai.

Sipas Hykollit, paga minimale është vendosur në vitin 2011 dhe ka qenë një pagë diskriminuese për punëtorët në Kosovë.

“Po të kishte pasur diskutim më herë, sot do të kishim një pagë më arsyeshëm. Ne mendojmë se paga minimale duhet të jetë e arsyeshme për punëtorët e Kosovës, për këtë vendos komisioni. Atë propozim atë e caktojmë dhe ne e dërgojmë propozimin në qeveri”, deklaroi ai.