Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar padi ndaj Dejona Mihalit, Koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, për shpifje.

Këtë, Bajrami e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, pak pasi që Mihali, në një reagim të saj kundër deputetes së LDK-së, ku u mor me drejtshkrimin e saj, e ndërlidhi me kompaninë farmaceutike “Riga Pharm”

“Zonja Mihali, shihemi në gjykatë. Tash po dihet adresa e saktë e shpifjeve dhe fushatave kundër meje. Dhe, jam e lumtur që nga nëntoka doli dhe tash e di adresën e shpifjeve, që bëhen që tri vite”, shkroi fillimisht Bajrami.

Deputetja bëri me dije se do të ushtrojë padi ndaj Mihalit për shpifje.

“E di që nuk e ka problem të shpifë zonja Mihali, por le të vendosë gjykata mbi pretendimet e saj. Le t’i prezantojë faktet për çfarëdo që ka për mua prej fabrikave të armëve e deri te kompanitë farmaceutike”.

“Nuk ju friksohem dhe nuk do të zmbrapsëm, kot e keni”.