Hykmete Bajrami emëron bashkëpartiakun e saj nga LDK-ja sekretar në MASHT

Vetëm pak ditë pasi Qeveria mori vendim që të largohen sekretarët e ministrive të cilat do të bashkohen, si ushtrues detyre i Sekretarit të ministrisë së Arsimit është caktuar anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Agim Bërdyna.

Para ardhjes së tij, Sekretar në MASHT ishte emëruar anëtari i partisë Nisma Socialdemokrate, Ekrem Kastrati.

Bërdynën e ka emëruar të hënën ministrja Hykmete Bajrami që është bashkëpartiake e tij. Në kohën e ministrit Arsim Bajrami, kur PDK dhe LDK ishin në koalicion, Bërdyna ka qenë zëvendësministër i Arsimit e më pas drejtor i departamentit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në MASHT.

Ministrja Hykmete Bajrami ka thënë se Bërdyna është caktuar si ushtrues detyre vetëm përkohësisht dhe se i njëjti ka punuar në MASHT që nga viti 2004. “Berdyna është caktuar u.d. për pozitën e sekretarit përkohësisht. Ai që nga viti 2004 është drejtor në MASHT, jo me qelës politik. Sekretari i MASHTI-t do të zgjedhet së shpejti me konkurs transparent nën vëzhgimin e kompanisë britaneze”, thuhet në përgjigjen e saj me shkrim.

Nga ana tjetër, vet Bërdyna i ka thënë “Kohës” se ai me të pranuar vendimin për emërimin si ushtrues detyre i Sekretarit të MASHT-it, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake në LDK.