Butler

“Hunter Killer” ndalohet të shfaqet në kinematë ruse dhe ukrainase

Dalja nëpër kinema e një filmi aksion të “Hollywood”-it, në të cilin ushtarët amerikanë shpëtojnë një president rus gjatë një përpjekjeje për grusht shteti, është shtyrë në mënyrë misterioze në Rusi dhe Ukrainë, me raporte që sugjerojnë se shfaqja e tij mund të jetë ndaluar për shkak të përmbajtjes.

I dalë në kinematë amerikane javën e shkuar, “Hunter Killer” është një “thriller” në të cilin shfaqet Gerard Butler, si kapiteni i një nëndetëseje amerikane, që përpiqet të parandalojë Luftën e Tretë Botërore, pasi presidenti rus është marrë peng nga ministri i tij i Mbrojtjes.

Filmi mblodhi një shumë modeste prej 6.7 milionë dollarësh në fundjavën e parë të tij nëpër kinema. Në Rusi, filmi duhej të fillonte të shfaqej të enjten, por kinematë anuluan papritur agjendën, duke cituar rrethana përtej fuqive të tyre.

Kritikë të Kremlinit thonë se filmi po bllokohet nga qeveria, për shkak se ai sugjeron një mundësi qoftë edhe imagjinare, që presidenti Vladimir Putin mund të rrëzohet.

Filmi nuk po shfaqet as në Ukrainë, por këtu arsyet mund të jenë të kundërta. Ukraina e konsideron Rusinë një vend agresor, që mbështet rebelimin në rajonet e saj lindore. Filmi, ndërkohë, flet për një nëndetëse amerikane që përpiqet të shpëtojë një udhëheqës të mirë rus, fabul kjo jo fort e pëlqyer nga Kievi.