Hungaria vendos masa të reja, kosovarëve u ndalohet hyrja

Hungaria ka vendosur kufizime të reja në kufijtë e saj për të ndalur përhapjen e koronavirusit pas rritjes së rasteve të reja, ka bërë të ditur të dielën zyra e kryeministri hungarez Victor Orban.

Hungaria lehtësoi të gjitha kufizimet në maj dhe hapi kufijtë për udhëtarët nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet fqinje që nuk janë në BE.

Nën rregullat e reja, shtetasit e Hungarisë që kthehen nga shtetet në rrezik të lartë, të listuara me ngjyrat “kuq” dhe “verdhë”, do të duhet të kalojnë nëpër kontrollet në kufi dhe t’i nënshtrohen vetizolimit 14-ditësh, edhe nëse nuk janë të infektuar.

Kjo mund të shmanget vetëm me dy teste negative për Covid-19 që nuk janë më të vjetra se 5 ditë, raportojnë agjencitë lokale të lajmeve.

Të njëjtat rregulla shkojnë edhe për shtetet e “verdha”, por udhëtarët nga shtetet “e kuqe” nuk mund të hyjnë fare.

Shtetet si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Ukraina hyjnë në kategorinë e kuqe.

Serbia, Bullgaria, Portugalia, Romania, Rusia, Suedia dhe Britania janë në mesin e shteteve “të verdha” ndërsa udhëtimi nga Kroacia, që është destinacion i njohur veror për hungarezët, tash për tash do të jetë i lirë.