Që nga 1 janari 2024, serbët në Kosovë janë të vetmit qytetarë në Evropë, përveç atyre që jetojnë në Rusi dhe Bjellorusi, të cilët ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar. Shqiptarëve në Kosovë u janë hequr vizat, prandaj serbët do të vazhdojnë të kenë pozitë të paqëndrueshme në veri dhe në jug të Ibrit. Autoritetet e Prishtinës kanë bërë të ditur se do të kërkojnë pagesën e energjisë elektrike dhe nga 1 janari Beogradi zyrtar i ka njohur targat e Kosovës (RKS). Kështu e nis shkrimin nova.rs, një media relativisht e pavarur në Serbi.

Tutje kjo media shkruan se autoritetet serbe ende pretendojnë se po e fitojnë “betejën” me Kosovën, e cila dikur, sipas lidershipit shtetëror, ishte edhe më e madhe se 5:0 e njohur tashmë.

“Megjithatë, realiteti i mohon ashpër të gjithë përparimtarët, përfshirë presidentin Vuçiq. Ka kohë që nuk ka fitore dhe vetëm serbët nga Kosova i vuajnë “frytet e hidhura” të disfatës”, shkruan tutje, transmeton Ballkani.info.

Me pasaportë të Kosovës tani mund të hyni në BE pa vizë, por serbët nga Kosova me pasaportë serbe ende nuk munden. Ky është ndoshta lajmi i parë me të cilin serbët nga Kosova hynë në vitin e ri, ndoshta më të lumtur 2024.

Në të njëjtën kohë, qytetarët me targa RKS do të mund të lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë, që deri para një viti e gjysmë ishte vija e kuqe për Beogradin. Dhe kjo nuk është e gjitha që i pret serbët në Kosovë në fillim të vitit 2024.

Një tjetër gjë e suksesshme për Prishtinën është se në veri të Kosovës do të paguhet e njëjta rrymë si në të gjitha pjesët e tjera të Kosovës, pas 20 vitesh.

“Elektrosever ka filluar regjistrimin e energjisë së konsumuar në katër komuna në veri, që do të thotë se nga sot do të ndalen edhe devijimet e KOSTT-it. Pas më shumë se 20 vitesh edhe në veri të vendit tonë do të paguhet e njëjta rrymë si në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi më 1 janar 2024, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori në Bruksel, Besnik Bislimi.

As kjo nuk ishte e gjitha. Në fund të vitit 2023, më saktë më 27 dhjetor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës që të paguajnë 12 milionë borxh për energjinë elektrike.

“Ne si Qeveri kemi thënë që energjinë duhet ta paguajnë ata që e konsumojnë dhe pavarësisht devijimeve do të konsiderohet borxh. Duke pasur parasysh se kjo është shpenzuar nga qytetarët që jetojnë në ato katër komuna, është më se e drejtë që barra e pagesës së këtij borxhi të bjerë mbi ta”, kishte thënë Kurti.

“Një lajm i keq shënoi edhe fillimin e vitit 2024 për qytetarët e Kosovës, që është vetëm një zgjatje e politikës së keqe të Beogradit, e cila la rrugën në dialog dhe nuk mori shumë në këmbim. Herë pas here dukej se nuk po merr asgjë, për çka shembull i dukshëm është vendimi i Prishtinës që të mos e formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, edhe pse 10 vite më parë ishte angazhuar për këtë”.

Qeveria e Serbisë në fund të vitit ka marrë vendim që nga 1 janari të lejojë lëvizjen e lirë për të gjitha automjetet nga Kosova. Kjo nënkupton edhe ata me targa RKS.

Pra, nuk ka më ngjitje afishes, që kishim deri tani. Në të njëjtën kohë, Qeveria e mori këtë vendim në mes të kaosit të përgjithshëm në Serbi dhe protestave për vjedhjen e votave në zgjedhjet e fundit.

Beteja për targa po vazhdon prej kohësh dhe mesazhet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq duhet të ishin inkurajuese për serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës. Tani ato duken vetëm si një “gënjeshtër shumëngjyrëshe”.

Kështu, në tetor të vitit 2022, Vuçiq ka thënë me këtë rast se “nuk ka dorëzim” dhe se serbët nuk do të pranojnë targat RKS, pra targat KM do të mbeten.

“Sidomos ju në N1 (televizioni i pavarur), siç e kuptoj kjo është një çështje kyçe për ju. Meqë e shoh se nuk e keni kuptuar atë që kam thënë në pjesën e mëparshme, më lejoni t’ju informoj – po, përgjigja ime është: ‘Jo dorëzim!’”, pati thënë Vuçiq për media, më 27 tetor të vitit 2022, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së N1, Sanja Sovrliq nëse marrëveshja e fundit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të thotë se targat KM do të mbeten.

Pas krizës në vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak, në vjeshtën e vitit 2021, problemi i targave u zgjidh përkohësisht me një marrëveshje për vendosjen e afisheve gjatë hyrjes në territorin e Kosovës, gjegjësisht Serbisë. Ky vendim vlente si për automjetet me targa RKS ashtu edhe për ato me targa të Serbisë.

“Në të njëjtën mënyrë, në gusht 2022 “fituam” edhe në rastin e dokumenteve personale. Prishtina më pas arriti ta bindë Beogradin që të tërheqë vendimin për dokumentet hyrëse-dalëse të qytetarëve me letërnjoftime të Kosovës, të cilin e kishte aplikuar 10 vitet e mëparshme. Prandaj, nuk ka pasur më nevojë që autoritetet e Kosovës të vazhdojnë të insistojnë në masat e reciprocitetit për ata me dokumente serbe. Në publikun tonë u prezantua si një sukses”, thekson Nova.

Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën, i cili ishte në detyrë për të shpallur fitoret, tha si në vijim:

“Përkundër të gjitha pengesave dhe shantazheve, ne arritëm të ruanim dokumentet personale serbe për popullin tonë në krahinë, dhe kështu e ruajtëm prezencën e shtetit serb në atë zonë. Kjo do të thotë se çdo qytetar i Serbisë që jeton në Kosovë do të mund të lëvizë lirisht me letërnjoftim serb. Çdo serb në jug dhe në veri të Ibrit, pa përjashtim, do të mund të jetojë normalisht dhe pa probleme me letërnjoftimin serb”, pati thënë ai. /Ballkani.info/

BONUS VIDEO: Serbia vazhdon me veprim të njëanshme duke kërcënuar paqen në rajon