Hulumtimet tregojnë se rusët po varfërohen, Kremlini fsheh statistikat

Pavarësisht pretendimit të Vladimir Putinit, se Rusia nuk është goditur ekonomikisht nga pandemia, hulumtimet tregojnë se jeta e rusëve është vështirësuar.

Kremlini ka hedhur poshtë gjetjet e hulumtimeve që treguan se rusët kishin më shumë të ngjarë të vuanin financiarisht si rezultat i koronavirusit sesa familjet në vendet e tjera.

Një sondazh i “Nielsen”, botuar të hënën, zbuloi se 53% e të anketuarve rusë thanë se ishin në gjendje më të keqe si rezultat i krizës – që ishte dyfishi i nivelit të regjistruar nga i njëjti studim në shtator dhe mbi mesataren globale prej 46%.

Por zëdhënësi i Presidentit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë rezultatet si “të pasakta”, në një konferencë me gazetarët. “Kemi të dhëna të ndryshme. Ne i konsiderojmë të pasakta konkluzionet e arritura nga autorët e këtij botimi”, tha Peskov.

Peskov pranoi vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia, por pohoi se rusët nuk ishin prekur më keq sesa ata në vendet e tjera. Kremlini po shqyrton gjithashtu futjen e pullave ushqimore të stilit SHBA, tha Peskov.

Çmimet e ushqimeve janë ngritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit, duke e detyruar presidentin rus, Vladimir Putin, të vendosë një kufi të çmimeve me pakicë për disa produkte, duke iu kërkuar marketeve të mos i rrisin çmimet. Rusia është duke u përballur me një trend në rënie të ekonomisë, për shkak të rënies së çmimeve edhe në bursat ndërkombëtare. Të dhënat e Bankës Botërore thonë se ekonomia ruse duhet të ristrukturohet, për shkak të rënies së madhe të të ardhurave për kokë banori.

“Varfëria do të rritet dhe po ashtu të ardhurat për kokë banori të zvogëlohen, rrjedhimisht vitet e ardhshme do të ketë më shumë rusë të varfër sesa kishte vitet paraprake”, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Por, Kremlini me çdo kusht refuzon se është duke u përballur me vështirësi serioze ekonomike, duke i ndryshuar statistikat zyrtare.