Huawei thekson se telefonat ende po prodhohen me kapacitet të plotë

Këto ditë kanë filluar të shfaqen raporte të shumta për atë se Huawei e ka reduktuar një pjesë të linjës së vet prodhuese të telefonave në fabrikën Foxconn. Megjithatë, nuk kishte asnjë informacion nëse ky është një vendim i përhershëm apo i përkohshëm derisa situata me ndalesën amerikane të zgjidhet, raporton GSMArena.

Tani zyrtari i Huawei vuri në dukje se këto pretendime janë të pasakta dhe se niveli i prodhimit është krejtësisht normal dhe i pandryshuar në çdo fushë.

Ka pasur shumë spekulime jashtë Kinës sa i përket ndikimit në shitjen e telefonave të rinj dhe çmimeve të tyre, pas njoftimit se Huawei ishte vendosur në listën e zezë amerikane. Shumica e raporteve sugjerojnë se shitjet kanë rënë dhe se çmimet në treg janë ulur ndjeshëm, gjë që e vështirëson azhurnimin e përdoruesve ekzistues. Si të tilla, raportet se prodhimi është reduktuar dukeshin kredibile dhe jo shumë befasuese, shkruan KOHA Ditore.

Megjithatë, analizat e fundit kanë treguar se popullariteti i Huawei nuk është zvogëluar dhe as nuk është kërcënuar, por është pothuajse e sigurt se gjigantit kinez tani do t’i duhet më shumë kohë në synimin për ta arritur Samsungun në vendin e parë të prodhuesit të telefonave.