OKB

HRW e kritikon ashpër SHBA-në pasi kundërshtoi rezolutën për ndihma humanitare

Human Rights Watch ka kritikuar SHBA-në për veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkonte korridore humanitare, ndalim të luftimeve dhe shfuqizimin e urdhrit të Izraelit, i cili u kërkoi qytetarëve në Gaza të largoheshin nga veriu i territorit.

Louis Charbonneau, drejtor i HRW-së, ka thënë se SHBA-ja edhe një herë “në mënyrë cinike e ka përdorur veton e saj për të parandaluar Këshillin që të veprojë ndaj Izraelit dhe Palestinës në një kohë masakre të paprecedentë”.

“Duke e bërë këtë, ajo ka bllokuar kërkesat për të cilat shpesh këmbëngul në kontekste të tjera: të gjitha palët të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të sigurojnë që ndihma jetike humanitare dhe shërbimet thelbësore të arrijnë te njerëzit në nevojë”.

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka thënë se SHBA-ja po ashtu ka bllokuar dënimin e sulmit të 7 tetorit të Hamasit dhe kërkesën për lirimin e pengjeve. Ka theksuar se pas kësaj, “vendet anëtare të OKB-së duhet t’i kërkojnë Asamblesë së Përgjithshme të ndërmarrë veprime urgjente për të mbrojtur civilët dhe për të parandaluar mizoritë në shkallë të gjerë”.