Hoxhaj thumbon Haradinajn: S’kreu punë, meritat për shumë procese janë të PDK-së

Partia e udhëhequr nga Kadri Veseli po thotë se është e gatshme për zgjedhje të reja. Mirëpo, ajo që në të gjitha sondazhet po lufton për pozitë të tretë, si duket është dorëzuar edhe për punën e koalicioneve. Tash po paralajmëron se do të bashkohet me parti të vogla për zgjedhje, raporton Express.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka paralajmëruar këtë në një intervistë për EO.

“Qëndrimi ynë si parti politike është që ne do shkojmë në zgjedhje të vetme, nuk e përjashtojmë mundësinë që mund bëjmë koalicion me ndonjë parti të vogël, por jo me ndonjë parti të madhe relevante”, ka thënë ai.

Hoxhaj u shpreh se PDK-ja nuk negocion me askënd për postin e të parit të Qeverisë, pasi që kjo është një traditë e cila e ka përcjellë këtë parti me vite rresht.

“Mendoj që PDK-ja është e qartë, që vetëm posti i kryeministrit që është dhe traditë e PDK-së, ne sa herë e kemi pas kryeministrin, jemi dalluar si parti e vendimeve të mëdha, e një qeverisje dinamike, e rezultateve konkrete, është oferta jonë për këto zgjedhje dhe asnjë hap mbrapa, asnjë kompromis, asnjë lëshim pe, nuk është në imagjinatën tonë politike aktualisht”.

Ai tha se në mandatin e Qeverisë Haradinaj, nuk kanë përfunduar shumë procese, andaj edhe thotë se meritat për shumë vendime të mëdha të vendit, i ka vetë Partia Demokratike e Kosovës.

loading…