Hoxhaj takon gastronomët, ju premton mbështetje

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka takuar gastronomët të cilët së fundmi kanë kërkuar zgjatjen e orarit deri në ora 23:00.

Hoxhaj përmes një postimi në Facebook ka treguar se para tyre ka shpalosur një pjesë të Planit të PDK-së për Rimëkëmbje, në qendër të të cilit do të jetë mbështetja e bizneseve që kanë pësuar humbje të mëdha.

Postimi i Hoxhajt:

Gastronomia është njëri prej sektorëve më të goditur nga pandemia e shkaktuar nga virusi Covid19. Mjerisht, kjo kategori nuk është ndihmuar nga shteti aq sa ka pasur nevojë.

Në takim me Shoqatën e Gastronomëve, sot, u shpalosa një pjesë të Planit të PDK-së për Rimëkëmbje, në qendër të të cilit do të jetë mbështetja e bizneseve që kanë pësuar humbje të mëdha gjatë kësaj periudhe të vështirë, e po ashtu e punëtorëve që kanë humbur punën si pasojë e pandemisë.

Partia Demokratike dhe unë si kryeministër zotohemi që me planin konkret të PDK-së për rimëkëmbjen ekonomike do t’u qëndrojmë pranë bizneseve dhe së bashku do të dalim nga kjo situatë edhe më të fortë, njëkohësisht duke respektuar rekomandimet që vijnë nga institucionet shëndetësore. #Rimëkëmbje