Hoxhaj: Qeveria ime do të jenë pro evropiane dhe pro perëndimore

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj, përjashton kategorikisht mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve. Në një intervistë për “Die Press”, Hoxhaj ka deklaruar se marrin pjesë në një qeveri vetëm nëse udhëhiqet nga vetë ai dhe gjithsesi ajo duhet të jetë pro-evropiane dhe pro-perëndimore. Për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Hoxhaj si kryeministër ka thënë se nuk merr pjesë në një proces të ngadaltë teknik, por vetëm në një takim të madh, ku do të merrnin pjesë SHBA-ja, BE-ja, Beogradi e Prishtina, me një temë kryesore: njohja e ndërsjellë mes Serbisë e Kosovës dhe kaq.

Die Presse: President serb Aleksandar Vučiç ka ofruar që Beogradi të organizojë kampanja për vaksinimin anti-covid në zona të banuara nga serbët në Kosovë. Politikanët e Kosovës janë kundër. Pse?

Enver Hoxhaj: Neve na duhen vaksina për të gjithë qytetarët e Kosovës, jo vetëm për serbët. Vučiçi nuk është i interesuar të ndihmojë. Ai bën politikë me këtë. Ai tashmë e ka provuar atë edhe me testet e Coronës. Ashtu si Rusia dhe Kina, ai dëshiron të abuzojë me ndihmën humanitare për qëllime gjeopolitike. Ne nuk mund ta pranojmë këtë.

Die Presse: Në të njëjtën kohë, oferta e Beogradit për ndihmë është e vetmja për Kosovën deri më tani…

Enver Hoxhaj: BE-ja dhe SHBA-ja i ofruan Kosovës teste të Coronës vitin e kaluar. Edhe ne jemi mirënjohës për këtë. Por, deri më tani, BE-ja nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë Kosovën në sigurimin e vaksinave. Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka arritur të lidhë kontrata me kohë për të sjellë doza vaksinimi në vend. Si udhëheqës i opozitës, unë kam folur me disa vende. Shpresoj që Austria dhe vendet e tjera të na ndihmojnë në të ardhmen.

Die Presse: Çfarë prisni nga Presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden?

Enver Hoxhaj: Presidenti Biden i njeh shumë mirë problemet në Ballkan. Unë gjithashtu u takova me të disa herë në cilësinë e ministrit të jashtëm të Kosovës. Me Biden në Uashington, mund të ketë një momentum të ri diplomatik. Kjo duhet të përdoret nga BE-ja, por edhe nga Kosova dhe Serbia. Kur amerikanët dhe evropianët janë në të njëjtën anë, ata mund të nxjerrin më të mirën nga kjo situatë. Ky është një nga shanset e fundit për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Die Presse: Çfarë do të thotë normalizim?

Enver Hoxhaj: Për ne kjo do të thotë njohje e ndërsjellë si dy shtete të pavarura.

Die Presse: Edhe presidenti Donald Trump u përpoq të arrijë një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës. Çfarë ndodhi me të?

Enver Hoxhaj: Kjo ishte shumë e rëndësishme. Trump donte të arrinte një përparim diplomatik duke normalizuar marrëdhëniet ekonomike. Marrëveshja gjithashtu synon të ndalojë ndikimin e Rusisë në fushën e energjisë në Serbi dhe atë të Kinës në 5G. Kjo është gjithashtu e rëndësishme gjeostrategjikisht për BE-në. Ajo që i mungon marrëveshjes është njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kosovës. 

Die Presse: Por, si mund të arrihet kjo?

Enver Hoxhaj: Në mars do të bëhen dhjetë vjet që kur kemi filluar dialogun me Beogradin. Ne nuk kemi nevojë ta zhvillojmë atë edhe për dhjetë vjet të tjera. Si kryeministër, nuk do të merrja pjesë në një proces të ngadaltë teknik, por do t’i pyesja miqtë tanë nëse ata mund të organizojnë një takim të madh në të cilin do të merrnin pjesë SHBA-ja, BE-ja, Beogradi dhe Prishtina. Me një temë kryesore: njohja e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës dhe kaq. Të gjitha temat e tjera janë diskutuar tashmë.

Die Presse: Pse duhet të pajtohet Serbia me këtë? Ajo nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës për vite me radhë.

Enver Hoxhaj: Për të ardhmen e saj evropiane. Unë nuk mendoj se Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së nëse nuk e di se ku janë kufijtë e saj. Kjo është thelbësore për Serbinë dhe Kosovën. Beogradi nuk mund ta kthejë kohën prapa. Ne jemi dhe do të mbetemi shtet i pavarur.

Die Presse: Kosova ka shpresuar shumë nga BE-ja, për shembull në udhëtime pa viza. Por, ende ka rezistencë në vendet anëtare të BE-së…

Enver Hoxhaj: Kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave, BE-ja fatkeqësisht ka treguar se nuk është në gjendje të mbajë premtimet e saj. Ne kemi përmbushur më shumë standarde sesa vendet e tjera në rajon, por asgjë nuk ecë përpara. Si rezultat, shumë qytetarë në Kosovë kanë humbur besimin në BE. Por, kjo nuk do të thotë se kemi alternativa të politikës së jashtme.

Die Presse: Një kusht për afrimin me BE-në ishte krijimi i një Gjykate Speciale për krimet në Kosovë. Përfaqësues të rëndësishëm të partisë suaj, si ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-lideri i partisë Kadri Veseli janë duke pritur gjykimin.

Enver Hoxhaj: Kjo na ka goditur rëndë, jo vetëm si parti, por edhe si vend. Në të njëjtën kohë, ne treguam se po punojmë me gjyqësorin ndërkombëtar. Që të dy, Thaçi dhe Veseli, do të dëshmojnë para gjykatës në Hagë se Ushtria Çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës, UÇK, ka zhvilluar një luftë të ndershme.

Die Presse: Ka akuza serioze kundër të dyve. Po sikur të shpallen fajtorë?

Enver Hoxhaj: Ne jemi të sigurt që ata do të shpallen të pafajshëm. Thaçi dhe Veseli luajtën një rol të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës, në bashkëpunim me SHBA-në dhe shtetet evropiane. Ata luftuan kundër regjimit të Milosheviqit të Serbisë, i cili më parë kishte zhvilluar luftëra edhe në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë. Ne nuk do të pranojmë që historia të rishkruhet.

Die Presse: A mund ta imagjinoni një koalicion me partinë Vetëvendosje pas zgjedhjeve të dielën? Ajo tregon vlerësime të mira në sondazheve.

Enver Hoxhaj: Unë e përjashtoj këtë. Ne do të marrim pjesë në një qeveri vetëm nëse unë e udhëheq atë. Dhe kjo qeveri duhet të jetë proevropiane dhe properëndimore.