Ish-zëvendëskryeministri dhe anëtari i PDK-së Enver Hoxhaj nëpërmjet një postimi në Facebookun e tij ka reaguar për kërkesën e ministrit të jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca për shkarkimet e ambasadorëve.
Hoxhaj është shprehur se pika më e dobët e qeverisë Kurti po del të jetë politika e jashtme.
Hoxhaj ka thënë se: “Politika e jashtme dhe përfaqësimi i Kosovës po rezulton të jetë pika më e dobët e kësaj qeverie. Kemi konfrontimin e drejtpërdrejtë me Amerikën, përkeqësimin e raporteve me Shqipërinë, tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone dhe çuditërisht, shprehjen e vullnetit të mirë ndaj Serbisë”.
Ky është postimi i plotë i Hoxhajt:
Çfarë është më jetike për vendin? Tërheqja e njohjeve apo tërheqjet e ambasadorëve?
Ministri i jashtëm i Serbisë po godet Kosovën kudo ku mundet nëpër botë. Ministri i jashtëm i Kosovës merret me tema të brendshme dhe me lista të ambasadorëve!
Në vend se kjo qeveri të merret me parandalimin e tërheqjeve tjera eventuale, qeveria e re merret me tema fiktive, akte populiste, vendime për efekte elektorale… dhe në vazhdimësi po i ik përgjegjësisë së dështimit në politiken e jashtme dhe përgjegjësisë reale për vazhdimin e dialogut.
Skandalin e sotëm të tërheqjes së njohjes nga Sierra Leone, qeveria e re po e mbulon me kërkesën për tërheqjen e shtatë ambasadorëve të respektuar e profesional, që i kanë shërbyer gjatë Kosovës.
Politika e jashtme dhe përfaqësimi i Kosovës po rezulton të jetë pika më e dobët e kësaj qeverie. Kemi konfrontimin e drejtpërdrejtë me Amerikën, përkeqësimin e raporteve me Shqipërinë, tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone dhe çuditërisht, shprehjen e vullnetit të mirë ndaj Serbisë.
Politika e jashtme nuk bëhet duke u hakmarrë! Ajo nuk do duhej të reflektojë ndasitë e politikës së brendshme. Kosova duhet të ketë vazhdimësi e përfaqesim unitar në marrëdhenie me jashtë.







