Hoxhaj për taksën: Mirë që është zgjeruar pronësia e saj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, është deklaruar për pronësinë e taksës së vendosur kundër Serbisë nga Qeveria verën e vitit të kaluar.

Ai, përmes një statusi në Facebook, përpos taksës ka përmendur edhe deklarimet e fundit të ministrit të jashtëm serb, Ivica Dacic, për tërheqjen e njohjes ndaj Kosovës të një shteti, të cilit emrin nuk ia ka bërë ende me dije.

Ky është shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:
Kur ministri jashtëm serb dje paralajmëroi se një shtet do të tërheq njohjen ndaj Kosovës, për mua para dy vitesh kjo ishte e paimagjinuar. Kam kaluar ditën duke kontaktuar partnerë dhe miqtë e shumtë në pjesë të ndryshme të botës, për të kuptuar se për cilin shtet bëhet fjalë! Kam bërë po ashtu një projekt ide se si mund ta godasim prapa Serbinë në plan të gjerë. Besoj se në Qeverinë e re me kryeministër Kadri Veselin, do të kemi masa të reja kundër fushatës serbe. Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

Sa për taksën, është mirë që është zgjeruar pronësia e saj. Politika për mua është sa betejë për ide kreative në situata komplekse po aq edhe vendimmarrje shtetërore në mbrojtje të ekzistencës tonë! Në çdo pozitë që kam pasur në Qeveri, së pari i kam vënë para vetes interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, pastaj ato të partisë me të cilën krenohem që i takoj, PDK.

Gjatë verës së 2018-s, në Kabinetin tim janë përpunuar dy propozime: njëri për taksën dhe tjetri për masa reciproke ndaj shtetit serb. Jam krenar që në nëntorin e kaluar njëra është bërë realitet, ndërsa reciprociteti është bërë diskurs edhe i partive në opozitë!

Duhet ta ushtrojmë sovranitetin në çdo cep të Kosovës dhe ta zgjerojmë njohjen ndërkombëtare të saj. Por assesi të mos harrojmë se interesi shtetëror i Kosovës është i barabartë me interesat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë! E ardhmja e Kosovës është vetëm rruga drejt anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE!

loading…