Hoxhaj për masakrën e familjes Berisha: Përherë do kërkojmë drejtësi për viktimat e agresionit serb

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka përkujtuar familjen Berisha nga Suhareka, e cila u masakrua 22 vite më parë nga forcat paramilitare serbe.

Në një postim në Facebook, Hoxhaj shkruan se marsi është muaji i vuajtjeve dhe dhimbjeve të mëdha të popullit.

“Sot përkujtojmë anëtarët e familjes Berisha në Suharekë, burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët 22 vite më parë u vranë dhe masakruan nga forcat paramilitare serbe. Marsi i vuajtjeve dhe dhimbjeve të mëdha të popullit tonë, është historia që nuk duhet ta harrojmë asnjëherë”, shkruan Hoxhaj në Facebook.

Ai po ashtu theksoi se “Kosova nuk do të rresht asnjëherë për të kërkuar drejtësi për viktimat e saj – derisa përgjegjësit të marrin dënimin e merituar. Lavdi të përjetshme martirëve të kombit tonë”.