Hoxhaj: PDK-ja është godit në kurriz, por gjendjen e kemi stabile

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se gjendja në këtë parti është stabile, megjithë goditjet që i ka marrë pas aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veseli.

“Gjendja e PDK-së është stabile, por goditjet që kemi marrë me aktakuzat është goditje në kurriz të PDK-së. Por ne kemi gjetur forcë dhe këtë mllef e kemi kthyer në vullnet politik. Ne kemi bërë punë të mëdha gjatë kësaj kohe që ti mbeshtesim shokët tanë në Hagë, kemi bërë edhe politika tjera që kanë të bëjnë me vendin”, ka thënë Hoxhaj në “Debat”-RTK, transmeton Ballkani.info.

Ai tutje tha se gjendja aktuale është e jashtëzakonshme, mbi të gjitha për shtetin e Kosovës, por edhe për PDK-në.

“Deklarata e Veselit, por edhe ajo e Thaçit pas konfirimimit të aktakuzave, flasin se këta si luftëtarë interesat e shtetit i kanë vënë para interesave të tyre personale. Shqiptarët kanë qenë viktimë dhe Serbia agresor, por ajo që me ka bërë mua përshtypje kur e kam parë aktakuzës, mënyra se si përshkruhet realiteti në Kosovë është totalisht i shtrembuar. Aty flitet për vitin 1989, por në fakt në këtë vit është vendosur regjimi serb dhe është bërë suprimimi i Autonomisë së Kosovës. Po ashtu aty përmendej edhe Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s, por nuk përmendet fare masakra e Reçakut. Dhe kjo është shtrembim i së vërtetës. Para gjykatës nuk janë individët, por është lufta e UÇK-së”, ka thënë Hoxhaj./Ballkani.info/