Hoxhaj: Nëse kërkohen votat e PDK’së, presidenti propozohet nga ne

Partia e Demokratike e Kosovës ende nuk ka marrë ftesë nga partitë e mazhorancës për ndonjë takim për të diskutuar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri. Kryetari në detyrë i kësaj partie Enver Hoxhaj në një intervistë thotë se PDK është e prerë se nuk do t`i jap votat për ndonjë kandidat tjetër pos kandidatit të tyre.

“Nëse kërkohen votat e PDK-së, kandidati duhet të jetë i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, duhet të kalojë nëpër tavolinëne e kryesisë së PDK-së. Por nëse partitë tjera parlamentare në Kuvend mund të merren vesh dhe ta zgjedhin presidentin pa votat tona ne jemi në rregull”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje, ai tha se aktualisht është koha që PDK të nderohet me ndonjë kandidat nga partia e saj.

“Sa i përket interesit shtetëror partitë në koalicion do të duhej ta shtrojnë temën politikisht dhe moralishtnë një mënyrë të tillë që tëe thonë se presidentit Thaci i është ndërprerë mandati dhunshëm, po kërkojmë votat e PDK-së dhe është koha që ta nderojmë PDK-në me një kandidat të saj”, ka thënë Hoxhaj në TV Klan.

Hoxhaj gjithashtu tha se nuk pretendon të bëhet vet president. Ama në parti nuk është diskutuar për emra të tjerë.

“Unë e kam një detyrë të re e cila është e vështirë dhe e rëndë që ma ka bartur kryetari i partisë dhe ma ka besuar kryesia, në asnjë situatë nuk  kam menduar që do të jem kandidat, por nuk është folur edhe për emra të tjerë deri më tash pasi nuk ka pasur situatë konkrete që të flasim”, thotë Hoxhaj.

I pari i PDK’së nuk e sheh me interes të qytetarëve të Kosovës që të organizohen zgjedhje të reja në këtë kohë pandemie.

“Nëse kapaciteti i politikës në këtë vend është vetëm për të organizuar zgjedhje të lira dhe qeveri që qëndrojnë nga 50 ditë ose  tre muaj mendoj se kjo nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës sidomos në një kohë pandemie”, shtoi Hoxhaj.