Hoxhaj kujton Lidhjen e Prizrenit: 143 vite më parë, shqiptarët u bënë bashkë në mbrojtje të atdheut

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka kujtuar përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

Hoxhaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se pas vuajtjeve shekullore të së kaluarës dhe rrezikut tjetër që po vinte nga e ardhmja, shqiptarët u bën bashkë, pa dallim regjioni a feje, duke dhënë shembullin e unifikimit dhe reagimit si një trup i vetëm në mbrojtje të Atdheut.

Postimi i plotë:

Gjatë historisë, ka disa data me shenjë e të shenjta, që jo vetëm dallojnë nga të tjerat por ndryshojnë tërësisht rrugëtimin e një populli.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit është e tillë për ne, e zhvilluar 143 vite më parë, me 10 Qershor 1878, nën kryesimin e tre burrave nga anë të ndryshme të kombit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni dhe Sulejman Vokshi.
Pas vuajtjeve shekullore të së kaluarës dhe rrezikut tjetër që po vinte nga e ardhmja, shqiptarët u bën bashkë, pa dallim regjioni a feje, duke dhënë shembullin e unifikimit dhe reagimit si një trup i vetëm në mbrojtje të Atdheut.
Ky shembull shërbeu edhe më 1998 ku djemë e vajza nga të gjitha trojet iu bashkuan UÇK-së për çlirimin e Kosovës, e duhet të na shërbejë edhe sot – kur sfidat për shqiptarët vazhdojnë të jenë prezente në secilën kthinë.