Hoxhaj i PDK-së: Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia e Kosovës dhe të njolloset lufta e UÇK-së

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas përfundimit të konferencës statusore të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Hoxhaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se procesi gjyqësorë ndaj krerëve të UÇK-së është një tentim për rishkruarjen e historisë përmes një procesi të paprecedent në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, shkruan Reporteri.net.

Procesi gjyqësor kundër presidentit Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi, deputetit Selimi, si dhe bashkëluftëtarëve të tyre, është një tentim për rishkruarjen e historisë përmes një procesi të paprecedent në historinë e drejtësisë ndërkombëtare.

Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia e Kosovës, të rinegociohet liria e jonë dhe të njolloset lufta e drejtë e UÇK-së.

Në ditën kur në Serbi po zhvarrosen eshtrat e shqiptarëve, viktimave të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, në Hagë po gjykohen ushtarët e lirisë së ndërmarrjes së përbashkët çlirimtare!

Në ditën kur katër metra nën tokë po shfaqen përmasat e gjenocidit serb, në Hagë po gjykohen luftëtarët e lirisë!

Lufta e popullit të Kosovës për liri nuk mund të ndryshohet. Nuk mund të gjykohet. Nuk mund të dënohet!

Lufta e popullit të Kosovës nuk mund të ndërrohet, sepse mban vulën e NATO-s, Tony Blairit, Bill Clintonit dhe botës perëndimore e demokratike.

Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre janë përfaqësues të kësaj lufte, të kësaj lirie dhe kësaj pavarësie, që janë të shenjta dhe nuk mund të ndërrohen nga askush.