Hoxhaj: Është jetike për Kosovën arritja e marrëveshjes me Serbinë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj mendon se qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me dialogun, politikën rajonale apo me ndërkombëtarët, po forcon Serbinë.

Hoxhaj tha se sjellja e Qeverisë së Kosovës po e shndërron Serbinë në faktor të rëndësishëm ndërkombëtar, pasi ata po dalin më konstruktiv.

Në kushte të tilla, sipas tij, pas pesë vitesh Kosova mund të jetë më e goditshme dhe më e cenueshme sesa sot.

“Me mënyrën sesi po sillet qeveria e Kosovës në raport me dialogun apo politikën e saj rajonale, me partnerët tanë perëndimor, po e shndërron Serbinë në faktor të rëndësishëm ndërkombëtarë. Po lënë përshtypjen se janë më konstruktivë sesa ne. Prandaj Kurti duhet t’i mbyllë çështjet teknike dhe duhet të thotë krye-teme e dialogut është njohja e ndërsjellët, çështjet e tjera duhet të përfshinin marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të mos humbë kohë”, tha ai në Top Channel.

“Kam frikë se po humbasim kohë. Nëse kjo situatë vazhdon, ne pas 5 vitesh jemi ndërkombëtarisht më të goditshëm më të cenueshëm sesa jemi sot. Lufta në Ukrainë këtë ka treguar. Do ishte jetike për Kosovën të arrinte marrëveshje me Serbinë, ta mbyllnin këtë teme dhe të mos kishte më kriza apo lufta”, shtoi Hoxhaj.