Hoxhaj e quan prolongim vendimin për targat dhe reciprocitetin për letërnjoftimet: Kurti të heqë dorë nga veprimet populiste

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve dhe reciprocitetin me letërnjoftimet për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë, është teknik dhe taktike sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt.

Hoxhaj në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, porositi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që të heqë dorë nga siç tha, veprimet taktike dhe populiste.

“Jam i bindur që Kosova e Serbia janë të barabarta dhe trajtohen ashtu që nga viti 2008, por sovraniteti i Kosovës nuk përmbyllet me veprime teknike dhe taktike, me marrëveshje si kjo. Ky është prolongim”.

“Dialogu teknik nuk I sjell asgjë Kosovës. Zotëri Kurti duhet të heqë dorë nga veprimet taktike populiste dhe të merret me kryetemën e dialogut që është njohja e ndërsjellë”, tha Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, Kosova duhet ta përdorë situatën aktuale dhe mandatin e presidentit amerikan, Joe Bide, për të arritur marrëveshjen finale me Serbinë dhe temat si ajo e personave të pagjetur, targave e të tilla, duhet të përfshirën në të.

“Reciprociteti për të cilin duhet të angazhohemi ne sot është njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në një rrethanë komplet të re politike në Evropë ku janë thyer tabutë e vjetra dhe janë krijuar norma dhe momentum i ri, duhet të përdoret për të arritur marrëveshje të njohjes së ndërsjellë dhe të gjitha temat tjera si të zhdukurit, targat e çdo gjë tjetër mund të jenë pjesë e një marrëveshje të gjerë”.

Hoxhaj kritikoi kryeministrin Kurti pasi siç tha e ka kthyer dialogun në teknik.

“Nëse Serbia vjen ne Bruksel për të bërë marrëveshje taktike, Kosova duhet të negociojë për marrëveshje finale. Lufta në Ukrainë po tregon se për ne ka qenë jetike në vitin 2013-2016 ta mbyllim këtë temë me Serbinë. Në atë kohë dialogu është përdorur për të ardhur si temë e politikës së brendshme, për të ardhur në pushtet. Ukraina po tregon se do të ishte mirë për në që kjo çështje të mbyllet”, shtoi ai.

Mes tjerash, deputeti i PDK-së foli edhe për Samitin e fundit të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor, në të cilin pati shpresë së vendim pozitiv do të merret sa i përket liberalizmit të vizave për Kosovën, por që nuk ndodhi ashtu.

Hoxhaj vlerësoi se ky Samit ishte i dështuar pasi “BE-ja po e vazhdon politikën e status quo-s”.

“Samiti i fundit i BE-së ishte i dështuar. Kam pasur bindje se lufta në Ukrainë do ta zgjojë Perëndimin, por vendimet që u morën në Samit tregojnë se BE-ja po e vazhdon politikën e status quo-s, e cila është në favor të Kremlinit”.

“Kjo po ndodh meqë shtetet anëtare kyçe të BE-së nuk po e kanë të qartë se çka të bëjnë me këtë pjesë të Evropës. Fakti që Ballkani është ishull i madh i rrethuar nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, është e pakuptimtë që një Samit i tillë të përfundojë pa asnjë vendimmarrje”.

Enver Hoxhaj gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova

Ai u shpreh i shqetësuar duke thënë se nëse evropianët nuk reagojnë mirëfilli deri në fund të vitit me vendime për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit, do të ndërhyjnë rusët dhe kinezët.

“Rusët kanë interes marramendës të mos ketë kurrë marrëveshje Kosovë-Serbi, e cila do të ishte gurthemel i paqes e që do të lëvizte komplet rajonin drejt BE-së. Nga Ukraina kemi marrë mësim se atje paqja ka qenë vetëm mungesë e përkohshme luftës. U rikthye lufta atje”.

“Në Ballkan paqja mund ta bëjë të pabesueshme luftën nëse ka marrëveshje Kosovë serbi, nëse ka transformim të Marrëveshjes së Dejtonit, dhe mbi të gjitha integrim të Ballkanit në BE dhe veçanërisht anëtarësim të Kosovës dhe Bosnjës në NATO”, shtoi Hoxhaj.

Në këtë intervistë ish-kryediplomati Enver Hoxhaj foli edhe për librin e tij “Përplasje e madhe (Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin), agresionin e Rusisë mbi Ukrainën, tendencat e saj për Ballkanin Perëndimor dhe bllokadat që po ia vendos Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.