Hoxhaj e quan krim të dyfishtë e ofendim dënimin me 15 vjet burgim për Rajko Kozlin

Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Enver Hoxhaj, dënimi i Rajko Kozlinit me vetëm 15 burgim, është ofendim dhe krim i dyfishtë.

Hoxhaj ka thënë se mospranimi i përgjegjësisë për krimet e luftës të kryera në Kosovë nga forcat serbe, kundër popullatës civile po vazhdon edhe pas dy dekadash nga konflikti.

“Krimineli që vrau 31 civilë në Tërrnje të Therandës, përfshirë gra, pleq e fëmijë, dënohet me vetëm 15 vjet burgim, në Serbi. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi e radhës, por edhe një ofendim dhe krim i dyfishtë ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë ditës, edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd (FDH) përmes një komunikate për opinionin e ka quajtur të gabuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit në lidhje me krimin e kryer në Tërnje, e cila pas vlerësimit të fakteve e ka liruar nga përgjegjësia Pavle Gavrilloviqin, ndërsa dënimi i shqiptuar për Rajko Kozlinën thotë se është tepër i ulët në krahasim me peshën dhe pasojat e krimit që ka kryer. /Ballkani.info/