Hoxha shqiptar në Gjermani: Aksidenti tragjik nuk kishte caktim i zotit, por krim i pronarëve që do të dalin para zotit si vrasës

Imami shqiptar në Gjermani, Benjamin Idriz ka folur rreth aksidentit tragjik që u mori jetën të paktën 45 personave në Bullgari.

Hoxha thotë se kjo tragjedi nuk është si pasojë e caktimit dhe dëshirës së zotit, shkruan “Jepi zë”.

“Në fillim dua të jem i rreptë. Kjo tragjedi nuk është si pasojë e caktimit dhe dëshirës së Zotit. Zoti, të cilit i besojmë paluhatshëm së është i Mëshirshëm, se nuk dëshiron që krijesat e Tij të digjen në zjarr në mënyrë të pamëshirshme”, thotë hoxha.

Ai shton se ky ishte një krim i pronarit dhe punëtorëve të kompanisë për të cilët tha se do të dalin para zotit si vrasës.

“Njerëzit që e humbën jetën në këtë tragjedi janë viktima të një krimi. Ata ranë viktima si pasojë e një tregtie të pamoralshme. Pronari, si dhe punëtorët e agjencisë “Besa trans” kanë shkaktuar humbjen e jetës së fëmijëve, të rinjve, burrave dhe grave, të cilët ishin krejt të pafajshëm nga pasioni i pronarëve të agjencisë. Për të fituar ca lekë më shumë, në mënyre ilegale dhe cinike, kanë shkaktuar humbjen e jetës së njerëzve në moshën më të mirë. Ata janë vrasës, kriminelë, barbarë dhe nuk janë njerëz. Ata janë pa besim dhe pa besë. Të gjithë ata që e udhëheqin këtë kompani, si edhe dhe ata që kanë lejuar që autobusi të qarkullojë në atë gjendje, do të dalin para Zotit si katila (vrasës)”, ka thënë ai.