Kosova dhe BE

Hoxha në Tiranë: “Kosova është e interesuar të thellojë bashkëpunimet drejt BE-së”

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në takimin e ministrave për Integrim Evropian të Evropës Juglindore, në Tiranë, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Ministria Federale e Austrisë për Punë të Jashtme, Çështje Evropiane dhe Integrim si dhe GIZ-it gjerman.

Pas takimit të ministrave për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore, është bërë nënshkrimi i Deklaratës për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke.

Praktika më e mirë dhe mbështetja e ndërsjellë në procesin e integrimit në BE, ishte temë e sesionit i bashkëkryesuar nga ministri Bushati dhe ministrja Kneissl.

Ministrja theksoi rëndësinë e promovimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit por edhe parimet e BE-së si dhe zhvillimi ekonomik dhe punësimi, të bërit biznes, arsimi, fuqizimi i të rinjve, barazia gjinore dhe shumë sfera të tjera që drejtpërdrejtë ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.

“Do të doja të ndalesha pak te pjesa e barazisë gjinore, të fokusohemi veçanërisht në promovimin e kësaj vlere. Ne e dimë se të gjitha vendet në rajon kemi sfida sa i përket barazisë gjinore dhe adresimi i këtyre sfidave përmes rrugës së përbashkët të integrimit evropian do të ishte mënyra më e mirë”, theksoi Hoxha.

Mediat, klasa politike, institucionet e BE-së dhe organizatat e shoqërisë civile, theksoi Ministrja, secili prej këtyre akterëve luan rol të veçantë në këtë proces. Mungesa e koordinimit mund të ketë mesazhe kundërthënëse të cilat pastaj mund t’i shkojnë për shtati narrativave anti-BE.

Ministrja propozoi të bëhet një strategji sa i përket bashkëpunimit dhe komunikimit rajonal. “Kosova është e interesuar që ky bashkëpunim të thellohet dhe vlerësoj se së bashku do të jemi më të suksesshëm në adresimin e sfidave të komunikimit të BE-së dhe pa dyshim një gjë e tillë është në interesin e të gjitha vendeve të rajonit”, theksoi Hoxha.

Takimi i Ministrave për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore, i mbylli punimet me Nënshkrimin e Deklaratës për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke.