Hoxha: Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, tash vendos dikush tjetër

Derisa shumë vende anëtarë të Bashkimit Evropian po e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha është e bindur se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret.

Gazeta Blic’, ka biseduar me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxhën. Ajo deklaroi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara për liberalizim, dhe që vendimi tash varet nga këshilli i ministrave dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së.

“Kam deklaruar dhe ritheksoj se ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara për liberalizim. Nuk ndjejmë shqetësim sa i takon detyrimeve tona karshi kërkesave që kanë dalë nga udhërrëfyesi, të gjitha 95 kushtet i kemi zbatuar. Gjithsesi, vendimi është politik dhe është në duar të Këshillit të ministrave dhe qeverive të vendeve të BE-së”, ka thënë Dhurata Hoxha për ‘Gazeta Blic’.

Ministrja Hoxha bëri me dije se janë duke vazhduar kontaktet me vendet e BE-së, dhe duke bërë përpjekje që t’i sigurojnë votat e tyre në këshillin e Ministrave.

“Pa u ndalur, vazhdojmë të kemi kontakte me vendet anëtare për të siguruar votën e tyre në Këshillin e Ministrave por më duhet të them se tashmë kjo nuk varet nga ne. Pra, ne kemi fuqizuar kontaktet me ato vende mike dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë është të ripërsërisim faktin se Komisioni Evropian ka konfirmuar plotësimin e kritereve përmes raportit të publikuar. Institucionet e vendit e kanë kryer punën e tyre dhe kjo ka rezultuar me raport pozitiv nga Komisioni Evropian”, është shprehur Hoxha.

Ndërsa, sa i përket hezitimit të disa vendeve për heqjen e vizave për kosovarët, Hoxha sqaroi se kjo gjë nuk ka të bëjë me Kosovën, mirëpo lidhet me emigrimin.

“Ritheksoj se hezitimi i disa shteteve nuk ka të bëj me Kosovën sepse Komisioni Evropian e ka konfirmuar plotësimin e të gjitha kritereve nga ana jonë, dhe tashmë vendimi është politik për secilin shtet anëtar dhe kjo mund të ndikohet nga fryma aktuale populliste në skenën politike evropiane dhe ndikimin e lëvizjeve të djathta në skenën e brendshme politike të atyre vendeve. Pra, janë të lidhura ngushtë me debatin e tyre të brendshëm politik rreth emigrimit”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ministrja Hoxha tha që çështja e emigrimit nuk përbën ndonjë rrezik për ato vende, sepse Kosova ka shënuar rënie  të migrimit ilegal.

“Ne jemi duke kryer detyrën tonë, së bashku edhe me instancat tona madhore, duke takuar dhe njohur vendet mike por edhe ato hezituese se liberalizimi i vizave, nuk përbën asnjë rrezik apo shqetësim për ato vende. Së pari, rënia e migrimit ilegal ka rënë pothuajse plotësisht dhe qytetarët e Kosovës nuk hyjnë as në 30 vendet e para me kërkesa për azil. Kosova ka ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare për riatdhesim dhe marrjen e të gjitha masave ligjore ndaj shkelësve të rregulloreve për liberalizim si dhe informimin e plotë të qytetarëve me rregulloret të cilat duhet të respektohen domosdo”, ka përfunduar deklaratën Hoxha për ‘Gazeta Blic’.

Ndërkohë, në takimet e mbajtura së fundi në Bruksel është bërë e ditur se janë më shumë se 10 shtete që e kundërshtojnë heqjen e vizave për Kosovën.