Hoxha: Garantimi i stabilitetit makro-fiskal parakusht për mbështetjen buxhetore të BE-së

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha ka mbajtur mbledhjen e 2-të, të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës ku ishte i pranishëm edhe David Cullen, Shef i Njësisë për Kosovën dhe Maqedoninë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Komiteti diskutoi për zhvillimet kryesore që nga Këshilli i dytë i Stabilizim-Asociimit dhe shqyrtoi gjendjen lidhur me kriteret politike dhe ekonomike, harmonizimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) gjatë kësaj periudhe në të gjitha fushat që mbulon ajo.

 

 

Në takim u nënvizua rëndësia e përafrimit me standardet më të mira të BE-së në sektorët kyç, veçanërisht lidhur me reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni nënvizoi rëndësinë e garantimit të stabilitetit makro-fiskal si parakusht i rëndësishëm për mbështetjen sektoriale buxhetore të BE-së, të planifikuar.