Ambasadori amerikan

Hovenier në takim me Kurtin – ambasadori mban konferencë pas takimit

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier do të mbajë konferencë për media para ndërtesës së Qeverisë.

Konferenca do të nis në orën 11:30.

Kjo konferencë vjen si rezultat i një takimi që aktualisht është duke e zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti.

Kujtojmë se ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se me veprimet e fundit po rrit tensione të panevojshme etnike.

Hovenier ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Në një letër, të cilën e ka publikuar ambasada amerikane në Prishtinë, përmendet edhe çështja e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.