Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se lidhjet e forta dhe përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës, është që nga presidenti Clinton, Bush, Obama, Biden dhe presidentin Trump.

Hovenier i bërë këto komente në ceremoninë e organizuar pranë shtatores së presidentit Clinton, në Prishtinë, ku edhe u shënua Dita e Presidentit Amerikan.

Ambasadori Hovenier derisa tregoi se si u krijua kjo festë, tha se ambasadat dhe konsullatat e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën, festojnë praninë amerikane dhe lidhjen e tyre me botën jashtë Shteteve të Bashkuara.

“Jam krenar që bashkohem me homologët e mi anembanë botës dhe i bëj homazhe detyrës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të njoh lidhjen e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës siç mishërohet kaq qartë nga kjo statujë e Presidentit Clinton. Unë jam vërtet i nderuar, dhe në emër të Shteteve të Bashkuara, mund të them se jemi të gjithë kolektivisht të nderuar që Presidentja Osmani dhe ekipi i saj kanë udhëhequr përpjekjet për të siguruar që sot, në Ditën e Presidentit, ne i bëjmë homazhe të gjithë presidentëve të SHBA-së dhe i kushtojmë një nderim të veçantë Presidentit Clinton. Faleminderit Presidentja Osmani që në këtë mënyrë e nderoni festën tonë, e vlerësojmë këtë. Tani, besoj se kjo nismë, edhe pse është një fenomen global, është veçanërisht relevante dhe e veçantë këtu në Kosovë…. Siç theksoi me të drejtë presidenti Osmani, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës i paraprin Presidentit Clinton dhe vazhdon pas Presidentit Klinton, dhe unë vetë mund t’iu tregoj për gjërat që unë kam parë Presidentin Bush, Presidentin Obama, Presidentin Biden dhe Presidentin Trump, të bëjnë për Kosovën”, tha ai.

Kurse, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shënimi i Ditës së Presidentit Amerikan në Prishtinë, shënon edhe frymën e demokracisë që ata përfaqësojnë dhe bujarisht e kanë ndarë me botën, e që ka pasur një ndikim të thellë në rrugëtimin tonë si vend.

Sipas saj, liderët nga nga Xhorxh Uashingtoni te Abraham Lincoln, nga Franklin Roosevelt deri te Bill Clinton, e deri në ditët e sotme, jo vetëm që kanë formësuar fatin e vendit të tyre, por kanë lënë gjithashtu një fener shprese për aspiratat demokratike në mbarë globin.

Përndryshe, kjo festë u krijua fillimisht në vitin 1885, dhe filloi si një festë e njohjes së vetëm një presidenti, Presidentit të 1-rë të Shteteve të Bashkuara, George Washington, dhe më vonë festohet në të gjitha vendet ku SHBA ka ambasadat e tyre.

VIDEO BONUS: Presidentja Vjosa Osmani dhe Ambasadori amerikan Jeffrey M. Hovenier, shënojnë Ditën e Presidentit