Hovenier për krizën energjetike: Dimri do të jetë i vështirë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, ka folur për dimrin e vështirë që i pret qytetarët e Kosovës dhe krizën energjetike.

Ai në një intervistë në emisionin “Contex” të ATV-së ka thënë se është shumë i shqetësuar për krizën energjetike.

Hovenier ka thënë se gjatë dimrit do të ketë kërkesa më të mëdha për energji sesa ka ofertë, përderisa çmimi i importit të energjisë është rritur në mënyrë dramatike.

“Si çdo person tjetër në Evropë dhe sigurisht, si çdo person tjetër në Kosovë, edhe ne jemi të shqetësuar. Ky nuk është problem vetëm i Kosovës, është problem evropian. Realiteti është se gjatë dimrit që po vjen do të ketë kërkesa më të mëdha për energji se sa ka ofertë dhe çmimi i importit të energjisë është rritur në mënyrë dramatike. Sërish, është ndër pasojat e pushtimit të pajustifikuar dhe brutal të Ukrainës nga Rusia. Këtu në Kosovë i keni disa sfida sepse bazoheni pothuajse plotësisht në dy termocentrale të vjetra e ndotëse me qymyr të kohës jugosllave. Kjo nuk është zgjidhja për sigurinë tuaj të ardhshme energjetike dhe kjo qeveri ka qenë duke punuar në një strategji për energji – me mbështetjen tonë dhe të tjerëve – dhe me të drejtë do të përpiqet të shtojë llojshmërinë e burimeve energjetike, të investojë shumë në burimet e ripërtëritshme dhe të krijojë infrastrukturë më të qëndrueshme të energjisë”, ka thënë ai, përcjell Demokracia.com.

Hovenier ka theksuar se të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kursejmë.

“Na vjen mirë që mund të ndihmojmë dhe ishim të lumtur kur qeveria e Kosovës miratoi programin Kompakt të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, i cili përgjatë një periudhe pesëvjeçare do të ndihmojë në transformimin e sektorit të energjisë me burime të shumëllojshme, që është më i qëndrueshëm dhe që përfshin regjionalizimin. Edhe USAID-i po punon, në afat të shkurtër dhe të gjatë, për të mbështetur regjionalizimin dhe shumëllojshmërinë e burimeve. Por, ky dimër do të jetë i vështirë për të gjithë ne dhe mendoj se është e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm. A ka mënyra për të kursyer individualisht? A ka mënyra që institucionet tona të kursejnë? A mund ti mbështesim përpjekjet e qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e sasisë së energjisë që do t’i duhet të përpiqet ta importojë, e cila do të jetë me kosto shumë të lartë”. ka shtuar ai.