Ambasadori amerikan

Hovenier për deklaratën e Hill: Kosova dëshiron t’i bashkohet NATO-s dhe ne do ta përkrahim atë

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier gjatë një deklarimi për media të mërkurën, iu është përgjigjur edhe deklaratave të homologut të tij në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se Serbia është më afër NATO-s se Kosova.

Ambasadori Hovenier tha se dëshiron që të kundërshtojë të gjithë ata që bëjnë krahasime të tilla.

Hovenier u shpreh se politika e SHBA-së është e qartë dhe se dëshiron që secili shtet të jetë në gjende të vendos vetë nëse dëshiron ti bashkohet Aleancës apo jo.

“Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë. SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe është angazhuar shumë për të përkrahur Kosovën e FSK-në në tranzicionin e saj…Kosova përballet me sfidën, që disa shtete të NATO-s nuk e njohin siç e njeh SHBA-ja e partnerët tjerë. Duam të shohim këtë të ndryshojë, dhe dua të kundërshtojë ata që duan të bëjnë krahasime”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan tutje tha se është i vetëdijshëm se Kosova ka vendosur që dëshiron t’i bashkohet NATO-s.

“Duam të shohim që të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është shumë mirë me NATO-n sa i përket vlerave e institucioneve. Ka probleme e çështje që duhet zgjidhur, dhe ne presim që Kosova një ditë të bëhet anëtare e plotë e NATO-s”, u shpreh Hovenier.

Ambasadori u pyet edhe rreth deklaratës së emisarit amerikan Gabirel Escobar lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Hovenier ka thënë se nuk është i saktë interpretimi i deklaratës së emisarit amerikan Gabriel Escobar se janë edhe dy kushte përveç Manastirit për anëtarësim në këtë institucion.

“Dua ta kundërshtoj pyetjen sepse nuk është kjo çfarë ka thënë Escobari. Ajo çfarë ka thënë ishte që çështja e Këshillit të Europës është një çështje e rëndësishme dhe se janë disa vende europiane që kanë folur për këto rrethana shtesë”, tha ai.

BONUS VIDEO| Osmani: Serbia s’mund të jetë kurrë anëtare e NATO-s, ende fle mbi varreza masive