Jeff Hovenier

Hovenier: Drafti i Lajçakut për Asociacionin nuk lejon krijimin e Republikës Srpska në Kosovë

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se drafti i emisarit Miroslav Lajçak për Asociacionin e ka përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se Amerika nuk lejon Asociacion që është i njëjtë si Republika Srspka, dhe kërkon Asociacion krejt në përputhje me Kushtetutën.

Sipas tij, drafti i Lajçakut i plotëson të gjitha këto kërkesa. Andaj, ka thënë se ai draft duhet të dërgohet në Kushtetutese.

“Shumë anëtare të Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Dhe lidhur me këtë, mendoj se shumë shtete evropiane kanë sugjeruar se do të jenë të përgatitur të marrin parasysh dhe ta shqyrtojnë pozitivisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne e nxisim ndërmarrjen e këtij hapi, e inkurajojmë Kosovën të bëjë çka duhet të bëjë për të marrë atë votë pozitive. Ne duam të jemi avokues të fortë dhe efektivë për Kosovën, por kjo do të thotë se qeveria duhet të bëjë gjëra që na lejojnë të jemi avokues të fortë dhe efektivë”, tha Hovenier.

“Pra, nuk mendoj se më takon mua të them nëse qeveria e kuptoi apo zgjodhi të mos e kuptojë, thjesht shpresoj që qeveria njëmend e kupton atë. Dhe ajo që dua është që qeveria të kuptojë janë dy gjëra. E para, Kosova ka shumë miq dhe ata miq duan ta shohin Kosovën në organizata si Këshilli i Evropës, por e dyta, ata miq duan të shohin vendin duke ndërmarrë veprime shtesë në mënyrë që të jenë të bindur për përkushtimin e vendit ndaj të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut. Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë , është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën”, tha ai.