Hoti zhvillon takim me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të drejtuar nga Koordinatorja Ulrika Richardson, ku diskutuan për Kornizën e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm për periudhën 2021 – 2025, si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me proceset zhvillimore.

Me këtë rast, Hoti ka vlerësuar angazhimin dhe diskutimin për krijimin e sinergjisë ndërmjet UNKT-së dhe ministrive të linjës.

“Korniza e Bashkëpunimit përfaqëson një qasje kolektive UNKT-së, të përfaqësuara përmes Agjencive, fondeve dhe programeve të ndryshme, ku së bashku me institucionet synohet të adresohen pengesat dhe sfidat zhvillimore, duke përfshirë kontekstin e arritjes së objektivave për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Kryeministri Hoti.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Më tej, Kryeministri Hoti theksoi se Korniza e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm 2021-2025, është tepër e rëndësishme, pasi që jemi në një moment kur duhet të punojmë në prioritetet tona zhvillimore dhe adresimin e rimëkëmbjes ekonomike për periudhën afatshkurtër.

Po ashtu, Kryeministri Hoti, tha se në kuptimin e periudhës afatgjatë presim një përfshirje sa më të madhe në procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, objektivat e së cilës do të ndërlidhen edhe me agjendën e integrimit evropian, Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) dhe me Agjendën e Gjelbër.

“Dua të shpreh falënderimin tim për UNKT-në, të drejtuar nga Koordinatorja Richardson, ngaqë kanë dhënë mbështetje të pakursyer për popullin e Kosovës për të përballuar gjendjen e krijuar si pasojë e pandemisë COVID 19”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti, më tej theksoi se situata e krijuar nga pandemia COVID-19 na obligon që të veprojmë në sinergji, në mënyrë që të jemi sa më afër nevojave të qytetarëve dhe bizneseve.

“Ne tashmë i kemi dyfishuar subvencionet në bujqësi, po ashtu i kemi aktive mjetet financiare në vlerë prej 60 milionë euro që do t’i ndihmojmë bizneset, mirëpo nuk i kemi lënë pa përfshirë edhe kategoritë e tjera në nevojë dhe komunitetet”, tha Kryeministri Hoti.

Ndërsa, Koordinatorja Richardson, duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin me Kryeministrin Hoti, theksoi se ekziston gatishmëria dhe përkushtimi maksimal që të thellojmë këtë bashkëpunim, me theks të veçantë duke i harmonizuar qëndrimet dhe synimet zhvillimore.