Hoti: Vjosa Osmani s’ka funksion kushtetues për t’u bërë pjesë e dialogut

Kryeministri Avdullah Hoti është shprehur rreth çështjes së përfshirjes së Vjosa Osmanit në dialog tash që Presidenti Hashim Thaçi nuk po merr pjesë për shkak se Haga bëri të ditur se ndaj tij është dorëzuar aktakuzë.

Hoti ka thënë shkurt se Kryeparlamentarja “nuk ka funksion kushtetues për një gjë të tillë”.

“Nuk ka funksion kushtetues për të marrë pjesë në dialog. Sa i përket procesit të dialogut unë e kam thënë vazhdimisht që në bazë të Kushtetutës në Kosovë, në dialog përfaqëson kryeministri”, tha Hoti në Rubikon të Klan Kosovës.

Hoti ka folur edhe për raportet e tij me Osmanin gjatë seancave duke thënë se ajo nuk i është drejtuar asnjëherë si Kryeministër.

“Ju i keni pa sjelljet e mija në Kuvendin e Kosovës. Sa herë që e marrë fjalën me respektim maksimal i drejtohem asaj si kryetare e Kuvendit edhe pse ajo nuk më drejtohet asnjëherë mua në cilësinë time si kryeministër”, theksoi ai.

“Por kjo nuk më pengon mua për të kryer punën time edhe për tu sjell me kurtuazinë e plotë dhe të nevojshme që duhet të sillet çdo kryeministër i vendit sepse për mua prioritetet janë shtetërore dhe jo çështje të sjelljeve të caktuara në Kuvend.”, shpjegoi Hoti.

Hoti është pyetur nëse ka votuar për shkarkimin e Osmanit nga pozitat partiake por ka refuzuar të përgjigjet.