Hoti vizitoi shoqatën Down Syndrome Kosova

Kryeministri i Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, ka zgjedhur ditën e fundit të vitit 2020 për ta vizituar shoqatën “Down Syndrome Kosova”, ku drejtoreshës ekzekutive, Sebahate Hajdini – Beqiri dhe bashkëpunëtorëve të saj, përpos urimit për një vit të ri të mbarë e të suksesshëm i ka shprehur mirënjohje për punën e palodhshme.

“Viti që po lëmë pas ka qenë një vit i vështirë për të gjithë pa përjashtim, por për disa grupe të shoqërisë që kërkojnë shërbime të veçanta ka qenë një vit edhe më i vështirë. Le të lutemi që ta tejkalojmë këtë situatë. Do të shfrytëzoj mundësinë që t’ju uroj Vitin e Ri, shëndet dhe gëzime për vitin e ardhshëm së bashku me familjet e juaja dhe të gjithë ju që po ofroni kujdes për këta fëmijë”, tha Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti shprehu keqardhje që, iniciativa për trajtimin në aspektin ligjor të grupeve me nevoja të veçanta nuk ka mundur të finalizohet, për shkak të zhvillimeve politike, por i siguroi ata se do të kenë mbështetjen e tij të plotë për të realizuar këtë nismë.