Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje të rinjve të vendit që të konkurrojnë që të bëhen pjesë e ushtrisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se duke qenë pjesë tarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nesër do të jenë ushtarë të NATO-s.

Konkursi për rekrutë të rinj mbetet i hapur deri më 20 gusht 2020.

Ky është postimi i tij i plotë:

Të dashur të rinj,

Forca e Sigurisë e Kosovës ka hapur konkurs për rekrutë të rinj. Mbeten edhe pak ditë, deri më 21 gusht 2020, që ju të konkurroni për t’u bërë pjesë e ushtrisë të Republikës së Kosovës, e cila është garanci e së ardhmes sonë të sigurt dhe të përbashkët, pa dallim.

Bëhuni pjesë e FSK-së dhe jepni ndihmesën tuaj që ajo të perfeksionohet sipas standardeve të NATO-s. Duke qenë pjesëtarë të FSK-së, ju nesër do të jeni ushtarë të NATO-s. Konkurroni për t’u bërë pjesë e FSK-së – pjesë e mozaikut të harmonisë, bashkëjetesës dhe prosperitetit të Kosovës.