Hoti tregon kush do t’a merr i pari vaksinën anti-covid

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka vizituar sot Shërbimin Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Ai aty ka thënë se në tre-katër muajt e ardhshëm parashihet që të përfundojë situata me koronavirusin.

Aty Hoti ka deklaruar se po bëjnë përpjekje që Kosova ta sigurojë me vendet e para vaksinën kundër COVID-19, njofton Klan Kosova.

“Tash jemi para një situate të re kur po presim që vaksina të shpërndahet. Kemi bërë përpjekje maksimale që të jemi në mesin e vendeve të para që marrim vaksinën. Plani është i përgatitur për vaksinim për grupe të caktuara, duke nisur nga stafi shëndetësor dhe të sëmurit kronikë”, është shprehur Hoti.

Kryeministri në detyrë ka falënderuar punëtorët shëndetësorë për punën që kanë bërë gjatë periudhës së pandemisë gjatë këtij viti.

“Keni bërë punë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti. Falënderimi nuk është i mjaftueshëm. Ka qenë vit historik, vit që do të mbahet mend”.

“Mënyra si e keni menaxhuar këtë situatë nga marsi vërtet është model. Është bërë punë e jashtëzakonshme që është marrë edhe si model për menaxhimin e situatës kur kemi resurset e kufizuara”.