Hoti thotë se shumë shpejt pret rezultate për vjedhjen e 2 milionëshit

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka deklaruar sot se LDK është partia favorite për të dalë si fituese e zgjedhjeve që pritet të zhvillohen në fillim të vitit të ri 2021.

Përgjatë kohës sa po deklarohej për këtë çështje, Hoti u pyet edhe për një zhvillim të rëndësishëm që ndodhi gjatë qeverisjes së tij.

Hoti u pyet për 2 milionët që u vodhën nga Thesari i Shtetit, për çka tha se çështja është duke u hetuar dhe se pret të ketë rezultate së shpejti.

Këto komente Hoti i bëri në hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”.

Hoti tha po ashtu se beson që shumë shpejt do të dakordohen me grupet parlamentare për ta miratuar buxhetin e vitit 2021.

“Jemi duke diskutuar, besoj që së shpejti do të dakordohemi. Nga dje kemi filluar bisedën me të gjitha grupet parlamentarë për të kërkuar që të bëhemi bashkë që të kalojmë buxhetin, përfshi edhe LVV-në. Është tepër e rëndësishme të mos hyjmë në janar pa buxhet të miratuar sepse do të kemi vështirësi të panumërta”, tha ai.