Deputeti i LDK-së

Hoti thotë se Peter Stano e përçmoi Qeverinë e Kosovës me deklaratën për Bislimin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e ka komentuar deklaratën e zëdhënësit të BE-së Peter Stano i cili iu referua si “dikush” zv.kryeministrit Besnik Bislimit, pasi ky foli për raportet Kosovë -BE dhe kërkesat për deeskalim në Veri.

Bëhet fjalë për deklaratën e Besnik Bislimit i cili ka thënë se BE-ja s’duhet ta detyrojë Kosovën që ta eskalojë përsëri situatën për të treguar që situata në Veri të vendit ka de-eskaluar.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka quajtur përçmim e mospërfillje ndaj Qeverisë së Kosovës, duke u shprehur i habitur se si ka ardhur puna deri këtu.

“S’komentojmë gjithçka që thotë dikush në Kosovë”!!! Si erdhi puna që një zëdhënës i BE-së të deklarohet me kaq përçmim e mospërfillje ndaj deklarimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës?!”, ka shkruar Hoti.