Hoti: Sulmi ndaj djalit të Rashiqit akt i papranueshëm, kryesit të përballen me forcën e ligjit

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka reaguar për sulmin ndaj djalit të politikanit serb, Nenad Rashiq.

Hoti ka shkruar se ky është një akt i papranueshëm dhe si i tillë duhet të trajtohet dhe hetohet nga organet kompetente.

Hoti tutje ka kërkuar që kryesit e këtij akti të përballen me ligjin.

“Dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme.
Rasti i rrahjes së Nikolla Rashiqit, i biri i Nenad Rashiqit, ishte një akt i papranueshëm dhe si i tillë duhet të trajtohet dhe hetohet nga organet kompetente, ndërsa kryesit e këtij akti duhet të përballen me forcën e ligjit”, ka shkruar Hoti.

Dje rreth orës 12:00 në afërsi të shkollës në fshatin Llapnasellë të Graçanicës disa persona e kanë sulmuar fizikisht djalin e ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës Nenad Rashiq.

Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona për këtë rast, ku të dyshuarit me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.