E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman i ka reaguar të mandatuarit për kryeministër, Avdullah Hotit pas një deklarate të tij rreth dialogut me Serbinë.
Krasniqi-Goodman e ka pyetur Hotin se çfarë do të bëj ai si kryeministër i ri i Kosovës për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë.
“Unë do të doja të di se çfarë ju do të bëni si kryeministër i ri për të mbajtur përgjegjëse qeverinë serbe për krimet e rënda të luftës të kryera në Kosovë”, ka shkruar ajo në Twitter.
Hoti kishte thënë se qeveria e re do të largojë të gjitha pengesat për dialogun Kosovë-Serbi.
“Ne duhet ta mbështesim dialogun. Qeveria e re e Kosovës do të koordinohet me partnerët e Kosovës, duke hequr pengesat për dialog. Vetëm në këtë mënyrë ne avancojmë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe largojmë nga Serbia alibitë për të vonuar marrëveshjen për njohjen reciproke” kishte shkruar Hoti.








