Hoti: Sakrifica e Jasharajve e përmasave historike

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, shoqëruar nga disa prej ministrave në detyrë, bëri homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Pas homazheve, kryeministri në detyrë Hoti u shpreh se sakrifica e familjes Jashari tejkalon çfarëdo lloj sakrificë që mund të bëj dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Bashkë me anëtarët të kabinetit në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së jemi këtu për të treguar respektin tonë, të qeverisë, të gjithë qytetarëve të Kosovës, të popullit shqiptar për sakrificën e jashtëzakonshme të kësaj familje që është e përmasave historike dhe jam i bindur që tejkalon çfarëdolloj sakrifice që mund të bëj dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, deklaroi Hoti.

Përpos kryeministrit në detyrë Hoti, të pranishëm në homazhe ishin edhe ministrat në detyrë Arban Abrashi, ai i Mbrojtjes, Anton Quni, i Bujqësisë, Besian Mustafa si dhe ministra në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi si dhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.