Hoti reagon pasi u gjuajt me vezë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas sulmit me vezë, të shtunën në mesditë.

Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se “Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar”.

“Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka shkruar ai.

Duke aluduar në qeverinë e shkuar, Hoti ka thënë se “sinjalet e qarta nga Qeveria e re se krimi ekonomik, zhvatja dhe kapja e shtetit po marrin fund i kanë trishtuar ata që na kanë mbajtur të izoluar”.

“Ne nuk do të lejojmë që raportet me miqtë tanë të nëpërkëmbën për interesa elektorale. Ne jemi të vendosur t`i japim vendit zgjidhje, bashkë me miqtë tanë”, ka përfunduar ai.

Ky është postimi i plotë i tij:

Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë.

Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në.

Sinjalet qarta nga Qeveria e re se krimi ekonomik, zhvatja dhe kapja e shtetit po marrin fund i kanë trishtuar ata që na kanë mbajtur të izoluar.

Ne nuk do të lejojmë që raportet me miqtë tanë të nëpërkëmbën për interesa elektorale.

Ne jemi të vendosur t`i japim vendit zgjidhje, bashkë me miqtë tanë.