Shefi i GP të LDK-së

Hoti reagon pas letrës së BE-së drejtuar Haradinajt ku thuhet se Thaçi e udhëheqë dialogun

Shefi i Grupi Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se vetëm Qeveria me legjitimitet qytetar mund të udhëheq Kosovën në dialogun me Serbinë.

“Ky proces nuk udhëhiqet me kuazi ekipe dialoguese. Letra e tre zyrtarëve të lartë të BE-së, që i është dërguar Qeverisë së Kosovës, le të kuptohet qartë nga kuazi ekipi dialogues”, ka shkruar Hot.

Në një letër që kryeministri Haradinaj ka pranuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për tregti, Cecilia Malmstrom, si dhe komisioneri Johannes Hahn, thuhet se dialogu Kosovë – Serbi nga pala kosovare udhëhiqet nga presidenti Thaçi.

Përfaqësuesit e BE-së në këtë letër shkruajnë se rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës dhe do të duhej të mundësonte lehtësimin, përshpejtimin e vazhdimit të procesit në mënyrë konstruktive, në kuadër të organizimit aktual të Dialogut të Nivelit të Lartë.