Hoti reagon ashpër për rrahjen e gazetarit Visar Duriqi, e quan “akt qyqar”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar për sulmin brutal ndaj gazetarit Visar Duriqi.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se ky sulm është edhe sulm ndaj fjalës së lirë dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Ai ka ftuar organet e rendit që këtë rast ta ndriçojnë sa më shpejtë, teksa gazetarit Duriqi i ka uruar shërim të shpejtë.

Postimi i plotë i Hotit në Facebook:

Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është sulm ndaj fjalës së lirë dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Ftoj organet e rendit për ndriçim sa më të shpejtë të këtij akti qyqar, ndërsa gazetarit Duriqi i uroj shërim dhe kthim sa më të shpejt në kryerjen e detyrës së tij.

Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet te tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj.