Hoti: Qytetarët nuk duhet të brengosen për rritjen e numrit të ministrive dhe zv/ministrave

Avdullah Hoti, zëvendëskryeministër i parë, në Rubikon të KTV-së ka thënë se balancimi i pozitave dhe arritja e marrëveshjes me Vetëvendosjen mundëson që të realizohet programi qeverisës.

Ai thotë se janë të përgatitur që të realizojnë programin qeverisës.

“Kemi punuar mjaft gjatë në opozitë dhe kemi krijuar pritje gjatë asaj periudhe, duke bërë opozitë të fuqishme dhe mandej kemi punuar gati 3 muaj në përgatitjen për koalicionin dhe besoj jemi të përgatitur për këtë. Ka qenë vendim i LDK-së që unë të marrë këtë përgjegjësi. Kam udhëhequr për dy vjet opozitën dhe roli im është që të përfaqësoj LDK-në dhe që të punojmë bashkë si një trup e vetme për të realizuar një kontrate specifike, pra marrëveshjes së koalicionit”, ka thënë ai.

Ai thotë se nuk ishte humbje kohe periudha e diskutimit për arritjen e marrëveshjes, megjithatë e pranon se janë vonuar.

“Nuk do ta kisha quajtur si humbje kohe, jemi vonuar, por insistimi jonë ishte që të arrinim një marrëveshje për bashkëqeverisje të balancuar, që është i shëndetshëm edhe për funksionimin e demokracisë, por edhe reflektim i vullnetit të qytetarëve. Besoj se tani është arritur ky balancë. Ne udhëheqim me legjislativin kurse VV-ja me ekzekutivin”, ka thënë Hoti. “Jam i bindur se kështu siç e kemi konstruktuar jam i bindur se do të arrijmë të realizojmë këtë program dhe kjo marrëveshje mundëson që të realizojmë programin qeverisës”.

Hoti insiston se nga fillimi kanë kërkuar balancim të pozitave qeverisëse.

“Më vjen mirë që u reflektua në këtë drejtim dhe u gjet një zgjidhje për të dalë nga situata dhe më vjen mirë që kemi arritur marrëveshje dhe mund të shkojmë përpara. Ne kemi kërkuar nga fillimi që të jemi baras nga numri i ministrive. Ka qenë vlerësim se do të jetë shumë i vështirë që të shndërrojmë nga 21 në 12 ministri, do ta quaja këtë rishikim të strukturës së Qeverisë”, ka thënë Hoti.

Ai thotë se nuk kanë qenë kundër që të shkohej nga 12 në 15 ministri.

“Ne nuk kemi pasur kundër që të shkohet nga 12 në 15 për të qenë më i lehtë reduktimi në këto ministri. Në parim jemi dakorduar që në secilën Ministri të kemi nga 2 zvministra. Reduktimi nga rreth 100 zëvendësministrave në mbi 30 është reformë e madhe. Besoj se kjo nuk është çështje për të cilën duhet të brengosen qytetarët. Tani duhet të shikojmë të realizojmë programin”, ka thënë Hoti.

Sipas tij Osmanit natyrshëm i ka takuar pozita e kryeparlamentares.

“Osmani ka qenë bartëse e ekipës dhe ka qenë e natyrshme që ajo të jetë në njërën nga pozitat e larta. Në asnjë mbledhje të Kryesisë nuk është e thënë të jenë të gjithë anëtarët. Ata të gjithë ftohen. Ndodh edhe të mos ketë mospajtime dhe normalisht që secili ka mendime të ndryshme. Në çdo mbledhje të organeve të LDK-së ka mendime të ndryshme dhe kjo është krejtësisht normale. Insistimi i Vetëvendosjes ka qenë i panevojshëm dhe i paarsyeshëm sepse në momentin kur pajtohesh për ndarjen e përgjegjësive nuk ka pse të ankohesh. Ajo është çështje e LDK-së si e vlerësojmë zgjedhjen e resorëve dhe personat që i zgjedhim”, ka thënë Hoti.