Paraja publike

Hoti: Qeveria po e shfrytëzon paranë publike pa përfillur kriteret ligjore

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, sot është takuar me shefen e Misionit për Kosovën, Stephanie Eble, pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Gjatë takimit thuhet se kanë biseduar për zhvillimet ekonomike në vend dhe për buxhetin e vitit 2019.
Në këtë takim, Hoti ka shprehur shqetësimin e partisë së tij për shpenzimet e parasë publike nga ana e Qeverisë.

“Me këtë rast z. Hoti ngriti shqetësimet e tij dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me shpenzimet e parasë publike nga ana e Qeverisë pa përfillur asnjë kriter ligjor, si dhe për stagnimin e reformave ekonomike dhe të skemave sociale. Hoti, gjithashtu, siguroi znj. Eble se si Grup Parlamentar do të kujdesen për stabilitetin financiar të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Po ashtu, temë bisede ishte edhe stabiliteti fiskal i vendit si dhe Buxheti për vitin 2019.