Hoti: Projektligji për Mbështetjen e Punëve Publike krijon pasiguri dhe e çrregullon konkurrencën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se Projektligji për Mbështetjen e Punëve Publike nuk e zgjedhë problemin e investimeve qeveritare.

Hoti me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se ky Projektligj krijon pasiguri i cili çrregullon konkurrencën.

“Ky draft i ligjit nuk e zgjidh problemin e investimeve të ulëta kapitale të Qeverisë dhe komunave, të cilat investime janë në nivele rekord, më të ulëtat ndonjëherë. Projektligji është gabim nga fundi në krye, krijon pasiguri dhe e çrregullon konkurrencën. Pavarësisht këtij ligji, ky vit është i humbur pasi është tepër vonë për të pasur ndonjë ndikim në realizimin e investimeve brenda këtij viti. Përqindja e caktuar për kompensim të kostos së materialeve për shkak të rritjes së çmimeve është arbitrare. Projektligji ka edhe shumë defekte të tjera, të cilat do t’i bëjë të ditura në seancë”, shkruan Hoti.

Postimi i plotë i Hotit, pa ndërhyrje:

Shtatë muaj pasi janë rritur çmimet e materialeve dhe janë bllokuar investimet publike, sot në Komisionin për Buxhet e diskutuam projektligjin e sjellur nga Qeveria lidhur me mbështetjen e punëve publike.

Ky draft i ligjit nuk e zgjidh problemin e investimeve të ulëta kapitale të Qeverisë dhe komunave, të cilat investime janë në nivele rekord, më të ulëtat ndonjëherë. Projektligji është gabim nga fundi në krye, krijon pasiguri dhe e çrregullon konkurrencën. Pavarësisht këtij ligji, ky vit është i humbur pasi është tepër vonë për të pasur ndonjë ndikim në realizimin e investimeve brenda këtij viti. Përqindja e caktuar për kompensim të kostos së materialeve për shkak të rritjes së çmimeve është arbitrare. Projektligji ka edhe shumë defekte të tjera, të cilat do t’i bëjë të ditura në seancë.

Intervenimi ligjor për të zgjidhur këtë problem duhet të jetë i thjeshtë – përmes plotësimit me disa nene të ligjit të prokurimit publik për t’i përshtatur çmimet e materialeve ndërtimore në kontrata sipas çmimit të tyre në bursë. Ky intervenim duhet të vlej vetëm për kontratat ekzistuese, sepse kontratat e reja lidhen me çmime të reja. Çdo qasje tjetër krijon pasiguri dhe kaos në menaxhimin e kontratave publike.