Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po raporton para deputetëve të Kosovës, për dialogun me Serbinë.

Hoti ka prezantuar para deputetëve tri parimet për dialogun me Serbinë. Hoti ka thënë se integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm, organizimi kushtetues nuk mund të preket dhe marrëveshja me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Hoti tha se në Bruksel, në takimin e djeshëm ka filluar draftimi i marrëveshjes përfundimtar, ku dy temat kryesore janë personat e pagjetur dhe sjellja e drejtësisë për familjet e viktimave.

“Pas 20 muajsh ka filluar procesi i dialogut. Më 10 korrik, u mbajt Samiti i Parisit. U dakordua edhe videokonferenca e parë. Aty unë kam paraqitur parimet që i prezantova. Më 16 korrik u mbajt takimi në Bruksel ku ka filluar drafitmi i marrëveshjes përfundimtare, me temat për personat e pagjetur, ku kishte kërkesa të qarta që të zgjidhjet çështja e personave të zhdukur dhe e dyta sjellja e drejtësisë dhe kujdesi i nevojshëm për familjet e viktimave. Kemi kërkuar të shpalosen informacionet e plota për zgjidhjen nga arkivat e ish-Jugosllavisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe trupat paramilitare të shpalosen informacione lidhur me dyshimet për shpërndarjen e trupave në shkritore dhe furra në Kosovë e Serbi”, u shpreh Hoti.

Hoti edhe një herë siguroi se nuk do të ketë dialog teknik, derisa tha se të gjitha takimet do të jenë për draftimin e marrëveshjes finale.

Hoti tha se qeveria e tij, për një muaj e riktheu Kosovën në rrugën e miqve ndërkombëtarë dhe hoqi çdo diskutim për temën e integritetit territorial.

“Për qeverinë e Kosovës dhe mua si kryeministër nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik, të gjitha takimet do të jenë për draftimin e marrëveshjes finale. Unë do të ju mbaj të informuar gjatë gjithë kohës për këtë proces, por unë nuk do të rri duarkryq dhe as nuk do të ankohem për teori konspirative për thika mbi harta. Zoti Hyseni ka përvojë të gjatë në diplomaci. Unë i besoj atij dhe ai më përgjigjet mua, ai më përfaqëson mua në dialog.Gjatë këtij procesi të vështirë ne besojmë në miqtë tanë. Askush nuk duhet të trazohet. Për vetëm një muaj ne rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, krah miqve tanë. Nga një marrëdhënie e lënduar ne tani kemi mbështetjen e miqve tanë. Për vetëm një muaj ne hoqën nga cdo diskutim temën e integritetin territorial të cilën më nuk e përmend askush, askush më nuk përmend thika, gjak e harta. Ne evituam rrugën qorre dhe morëm përgjegjësitë në dialog. Koha e politikës izoluese dhe frikës për tu përballur është larg nesh”, u shpreh ndër të tjera Hoti.