Hoti: Po vihet në pikëpyetje partneriteti me ShBA-në

Presioni dhe kërcënimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për largim të takës dhe mos bindja ndaj këshillave të tyre, për Lidhjen Demokratike e Kosovës po vë në pikëpyetje partneritetin shumë vjeçar me aleatët tanë.

Pasi sipas tyre, në 11 vjet shtet, Kosova nuk ka qenë asnjëherë në pozitë më të keqe si në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu dhe në çështjet e brendshme.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se pozita e keqe karshi ShBA-së, po bën që për herë të parë ndodhë që kryeministrit të vendit i mohohet e drejta të udhëtoi atje dhe të anulohet dhjetëra programe financimi.Sipas deputetit Hoti, asnjëherë nuk ka pasur degradim më të madh institucional gjatë këtyre viteve, pasi ai konsideron se ka humbje të besimit ndaj këtij lidershipi.

Duke përmendur mos emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga ana e presidentit Hashim Thaçi, Hoti tha se kjo është e paprecedent dhe se për këtë arsye kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Ndërsa, sa i përket taksës, ai tha se është bërë strehë e plaçkës që po i bën shtetit koalicioni PAN sepse po ndahen mjete financiare në kundërshtim me ligjin nga rezerva shtetërore.Për gjithë këto parregullsi, deputeti Hoti kërkoi përgjegjësi nga shefi i koalicionit, Kadri Veseli.

Për dialogun me Serbinë, ai tha se është në rrugë pa krye, pasi dhe ekipi dialogues është jokushtetues dhe formati i ekipit e ka kthyer Kosovën në periudhën kur ka pasur institucione të përkohshme.

Shefi i deputetëve të LDK-së, përsëriti se zgjidhja e vetme për Kosovën janë zgjedhje të reja dhe se korrigjimi i kufijve nuk do të ndodhë asnjëherë.

I pyetur nga gazetarët për takimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me presidentin Hashim Thaçi, Hoti ka refuzuar të përgjigjet