Hoti përplaset keq me Nagavcin: Fjalimi më i ligë që kam dëgjuar ndonjëherë

Kryeministri Avdullah Hoti është përplasur me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavi, lidhur me çështjen e personave të pagjetur.

E gjitha nisi pasi që Nagavci kritikoi ashpër kryeministrin Hoti, duke thënë se ka barazuar personat e pagjetur me personat e shpërngulur.

Ajo tha se me 4 shtator janë bërë pazare edhe me personat e pagjetur.

“Kryeministri Hoti ju më 4 shtator keni barazuar të pagjeturit me të zhvendosurit. Serbia duhet të ofrojë të gjitha informacionet për varrezat masive. Pa kthimin e personave të pagjetur nuk mund të ketë as dialog”, ka thënë Nagavci,

Kjo bëri që të reagoi ashpër kryeministri Hoti i cili e quajti të ligë fjalimin e Nagavcit.

“Ky është fjalimi më i ligë dhe i turpshëm që kam dëgjuar në Kuvendin e Kosovës, edhe sa kam qenë deputet edhe ministër”, ka thënë Hoti.

Menjëherë replikoi Nagavci e cila i tha kryeministrit se i ligë është barazimi i të pagjeturve me të shpërngulurit.

“I ligë edhe i turpshëm është turpshëm kur ju keni barazuar të pagjeturit me të shpërngulurit. Është mirë t’i dëgjoni familjarët e të pagjeturve, është mirë t’i dëgjoni nënat”, tha Nagavci.